Albin Kurti kishte dhënë dorëheqje nga UÇK më 2 mars 1999, por tani është veteran

Lajme

Duket që prej sot, Kosova i ka vetëm 59 mijë e 999 veteranë. Kjo pasi njëri prej tyre – në bazë të një dokumenti origjinal që është dorëzuar në redaksinë e gazetës Nacionale – mund të konsiderohet si veteran i rremë. Emri i tij është Albin Kurti, dhe aktualisht ushtron funksionin e kryeministrit të Kosovës.

Dokumenti në fjalë përmban deklaratën e dorëheqjes nga Zyra e Demaçit në të cilën bënte pjesë z. Kurti së bashku me Azem Vllasin dhe vetë Adem Demaçin.

Kjo dorëheqje mban datën 2 mars 1999, kohë në të cilën ekipi negociator i Kosovës (pjesa e UÇK-së) po zhvillonte bisedime për përmbajtjen e tekstit të Konferencës së Rambujesë.

Nënshkrimi i marrëveshjes e Rambujesë u bë më 18 mars 1999 dhe i liroi rrugën bombardimeve të NATO-s, efektivisht lirisë, dhe më pas (2008) edhe pavarësisë së vendit.

Por, në këtë dokument shprehen qëndrime krejtësisht të kundërta që do të dilnin të pasakta vetëm pas njëzet e dy ditësh, më 24 mars 1999 kur NATO nisi fushatën e bombardimeve mbi caqet e Ushtrisë Jugosllave.

“Kjo marrëveshje nuk do të sjellë kurrfarë paqe apo lirie në Kosovë, përkundrazi ajo do të sjellë vazhdimin e gjakderdhjes”, shkruhej nga zyra e Demaçit ndër tjerash në këtë tekst të dorëheqjes.

Adem Demaçi më vonë do të përkrahte proceset politike në Kosovë, por kjo gjë nuk do të ndodhte edhe me Albin Kurtin që përveç procesit negociator të Vjenës do të kundërshtonte për vite me radhë edhe procesin negociator të Brukselit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.